European Studies and Diplomacy Information

Sunday, June 23, 2013

ENDRRA EVROPIANE! ÇFARË DUHET TË PËRMIRËSOJË SHQIPËRIA?


ENDRRA EVROPIANE!
ÇFARË DUHET TË PËRMIRËSOJË SHQIPËRIA?

Perceptimi mbi aktualitetin në Shqipëri duhet të jetë real! Jo të gjithë ndajnë të njëjtën pikëpamje për klimën politike në Shqipëri. Vështrimi real na lejon të shohim qartë dhe pastër atë që është bërë dhe që duhet të bëhet në të ardhmen. Confucio thoshte: “In un paese ben governato la povertà è qualcosa di cui ci si deve vergognare”. Në opinionin tim ekzistojnë dy lloj varfërish në Shqipëri.

Ø  varfëria politike
Ø  varfëria ekonomike

v  Varfëria politike

Në këtë kategori bëjnë pjesë disa “politikanë apo “pretendentë kandidatë që në të ardhmen mendojnë se duhet të përfaqësojnë popullin apo drejtojnë Shqipërinë.

Kjo është shumë e dukshme gjatë fushatave elektorale dhe përzgjedhjes së kandidatëve për deputetët e ardhshëm. Njerëz që nuk janë zgjedhur mbi parimin e konkurencës, arsimimit apo dijeve por sipas preferencave të ndryshme të liderve të tyre apo sipas kapacitetetit ekonomik që ata kanë.

Sigurisht që vetë populli ndodhet përpara një dileme në përzgjedhje të tilla.
E atëherë çfarë mund të pritet nga prurje të tilla qoftë ky fillim apo rifillim i tillë kur mendohet se këta njerëz do të përcaktojne fatin e “demos-it”(populllit) të tyre brenda dhe jashtë vendit.

A mund të mendojmë se këto njerëz mund ta çojnë Shqipërinë përpara?
Kjo është një çështje që duhet të ishte verifikuar një fazë më përpara se të arrinim këtu. Gjithsesi rruga që do të përshkohet është tejet e vështirë dhe sfidat janë shumë  më të mëdha sesa zgjidhjet.

Megjithatë është shumë i dukshëm kontrasti i këtyre “politikanëve” apo “pretendentëve” me lideret aleate të BE nëse mendohet se në një të ardhme do të jemi pjesë e kësaj familje. Përfshirë këtu edhe vullnetin politik të politikanëve tanë si dhe nëse plotësojmë standartet e kërkuara sipas BE.

Duhet të argumentojmë se përfaqësuesit e ndryshëm të vendeve të BE janë aty falë kapacitetit të tyre intelektual dhe falë konkurencës së ndershme brenda Institucioneve të BE dhe jo nga rastësia, preferenca apo ngjyrat e ndryshme partiake.

Sigurisht që Shqipëria nuk përbëhet vetëm nga kjo kategori politikanësh, në anën tjetër ka politikanë të tjerë apo pinjolle që gëzojnë respektin dhe dinjitetin e njerëzve që i rrethojnë, që janë të mirarsimuar e që janë të aftë në atë që u besohet.

v  Varfëria ekonomike

Sigurisht që kriza ekonomike e disa vendeve të BE dha efektet e saj edhe në Shqipëri. Fakti që shumica e emigrantëve shqiptare punonin dhe jetonin në këto vende, solli ndikimin e saj në ekonominë Shqiptare, rënien e remitancave etj.

Cilat janë sfidat për një Shqipëri përparuese?


1.     RIMËKËMBJA EKONOMIKE

Ø  Ulja e nivelit të borxhit
Ø  Forcimi i praktikave menaxhuese të borxhit, sepse banka e Shqiperisë lidhet me zhvillimet që ndodhin në Evropë, kështu që kriza Evropiane ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri. Të ardhurat e vendit janë të pakta për të përballuar këtë borxh.
Ø  Stabilitet ekonomik dhe rritje ekonomike
Ø  Konkurencë të  ndershme.

2.     SIGURIA E QYTETARËVE

Në “Strategjinë e Sigurisë së Bashkimit Evropian” Bruksel shkruhej: “No single country is able to tackle today’s complex problems on its own” Po ashtu edhe Shqipëria nuk mund t’i përballoje e vetme problemet pa bashkëpunimin e institucioneve të brendshme të saj e në veçanti pa bashkëpunimin fqinjëve të saj.
§  Konsolidimi, bashkëpunimi dhe transparenca ndërmjet Policisë-Gjykatës-Qytetarëve
Dihet se ka ligje ka dhe institucione, ka polici dhe prokurori por duhet të punohet më tepër në konsolidimin e forcimin e këtyre institucioneve, me qëllim që të arrihen standarte më të larta sigurie për qytetarët brenda territorit Shqipëtar.

Ø  Policia duhet të jetë më bashkëpunuese me njerezit, më e pranishme jo vetëm në qendra urbane por edhe në periferi.
Ø  Gjykata duhet të bëjë punën e saj në mënyrë transparente dhe të paanshme.
Ø  Gjykata duhet të bashkëpunojë më ngushtësisht me policinë.
Ø  Verifikime periodike, auditim mbi ecurinë e punës së këtij institucioni. 

Për të arritur këtë mund të merren modele dhe eksperienca shumë të mira nga aleatet tanë të BE por edhe nga organizmat e sigurisë ndërkombëtare si OSBE etj.



- Sa të sigurt janë qytetarët shqiptare?
- Sa e sigurt është jeta e një shqiptari në Shqipëri?

Kjo nuk dihet dhe asnjëherë nuk është e sigurt. Nuk është e sigurtë duke e krahasuar atë me shtetet fqinjë apo me vendet anëtare të BE. Njeriu del në mëngjes në punë dhe nuk e din nëse kthehet apo jo në darkë. Pse? Pse ndodh kjo? Një shprehje amerikane thotë kështu: “Everything happens for a reason”. Vërtetë gjithçka ndodh për një arsye dhe kjo ndodh sepse:

1-     Armët (armëbajtjet pa leje) akoma janë prezente. Është akoma një terren ku vrasjet dhe krimet godasin në mes të qytetit, fshatit, në pikun dhe kulmin e lëvizjes së njerzve. Në pikë të mesditës. Ka pasur raste ku kalimtarë të pafajshëm janë bërë viktima.

2-    Vjedhjet e shtëpiave dhe automjeteve.

3-    Aksidentet rrugore janë të mëdha.
Për arsyen se:

·       Sa rrugët në Shqipëri janë brenda standarteve ndërkombëtare?
·       Sa njerëz kanë vdekur në superstradat: Lezhe –Tiranë, Tiranë - Durrës etj. ?
·       Sa njerëz kanë humbur jetën vëtëm duke u përpjekur që të kapërcejnë rrugën?
·       Sa drejtues automjetesh dinë të lexojnë rregullat e qarkullimit rrugor?
·       Sa drejtues automjetesh janë të aftë të kalojnë testin e patentës pa ndihmën e lekëve?
·       Sa gabimet e projektuesve të rrugëve kanë marrur jetë njerëzish apo janë bërë burim aksidentesh?
·       Sa mbikalime nevojiten në qendrat e banuara?
·       Sa njerëz kanë humbur jetën vetëm duke u përpjekur që të shmangin gropat?
·       Sa shenjat rrugore tabelat treguese fuksionojnë?
·       Sa vijat e bardha ndarëse të korsive të rrugës janë të dallueshme? E nëse bëhet një aksident ku duhet të orientohemi nëse e kemi kaluar vijën e bardhë ndarëse apo jo kur ajo vijë nuk ekziston?
·       Sa semaforet punojnë nëpër kryqëzime?
·       A ka një rregull për mirëmbajtjen e tyre? Ka shumë e shumë kohë që disa prej tyre nuk funksionojnë. Ka semaforë që kanë ngelur të stakuar në dritën e kuqe ku shpeshherë bëhët objekt kaosi, ngatërrese e burim aksidentesh për vendas e të huaj.
·       Përse nuk vendosen fasada që shërbejnë për të ngadalësuar shpejtësinë  pranë qendrave të banimit në fshatra apo pranë shkollave? Tek-tuk në disa qendra të banuara kryesisht nëpër fshatra banorët kanë vendosur copëza e shirita betoni nëpër rrugë me qëllim që të kenë një element më tepër sigurie.
Pyes veten: Taksat që unë i paguaj shtetit çdo vit për makinën time a mos vallë do të vijë një ditë ku këto taksa të vihen në shërbim të mirëmbajtjes infrastrukturore të kësaj rruge?
Ja pra të gjitha këto probleme janë për t’u parë dhe për të vendosur objektiva me qëllim që të ulim ndjeshëm dhe reduktojmë numrin e aksidenteve rrugore me qëllim që të shpëtojmë jetë njerëzish.

3.     ARSIMIM DHE PUNËSIM

“A strategy for smart sustainable and inclusive growth”. Kjo është motoja e shprehur në komunikimin e Komisionit Evropian për Strategjinë 2020 në Bruksel. Kjo shprehje gjen vend në një familje të madhe Evropiane, por është një këmbane edhe për ata që duhet të bëhën pjesë e BE në një të ardhme.

Risitë dhe njohuritë janë dy konceptet kyqe në zemër të çdo shoqërie. Janë drejtuese për çdo shtet që nxit rritjen e inteligjencës dhe njohurive të mëtejshme arsimore, konkurencën për vendet e punës duke i bërë ato më tërheqës drejt BE për të punuar dhe studiuar.

Parë në këndvështrimin tim sistemi arsimor në Shqipëri duhet të ketë një strategji integrimi që mbërthen në një bosht të vetëm edukimin, kualifikimin dhe punësimin.

§  EDUKIMI

Ø  Edukim profesional
Ø  Sistem verifikimi mbi origjinalitetin e diplomave të:

-       Shkollave të mesme,
-       Universitare,
-       Pasuniversitare,
-       Doktoraturës.
Është një element që kërkohet edhe në vendet e BE (dichiarazione di valore- Itali)

§  KUALIFIKIMI
Jetojmë në një kohë ku risitë teknologjike po ecin me hapa të shpejtë për rrjedhojë, shumë punë do të kërkojnë standarte të larta kualifikuese, qoftë në Shqipëri apo jashtë saj. Evropa, kërkon më shumë njerëz të shkathët, me arsim të lartë me njohuri inovative, me qëllim që ta mbajë ekonominë e saj konkuruese në të gjithë botën.


§  PAPUNËSIA
§  Mobilizimi i punësimit- promovimi i trajnimeve drejt tregut të punës brenda- jashtë shtetit si një rrugë bazuar në shkathtësi dhe eksperiencë. Kjo do të ndihmojë shumë të rinj dhe të reja që kërkojnë punë të jenë të përgatitur me qëllim që të hynë në tregun e punës qoftë ai Shqipëtar apo Evropian.

Kjo vlen sepse:  shumë të rinj po shkollohen por nuk gjejnë pune, në njërën anë ne ndikojmë në rritjen e shifrave të edukimit e në anën tjetër rriten shifrat e papunësisë. Duhet një mekanizëm publik dhe privat, me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtare me qëllim që të mbajë të tërhequr edukimin dhe punësimin të pashkëputur nga njëri-tjetri.
§  Transparenca e vendeve të punës- Vendet vakante duhet të shpallen me transparence të plotë në sektorin publik e privat dhe jo atëherë pasi të kenë rekrutuar personat në punë.


4.     INFRASTRUKTURA HEKURUDHORE

Infrastruktura hekurudhore në Shqipëri nuk është në nivelin e duhur. Sipas web-site të Ministrisë së Transportit kemi vetëm 447 km rrugë hekurudhore, me një inventar prej 66 vagonë udhëtaresh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva.

Fakti që Shqipëria ndodhet në një pozitë gjeografike të tillë me dalje në det dhe në tokë, i jep mundësinë e lidhjes së transportit me vendet fqinje Ballkanase por edhe me ato të BE e me gjerë. Nëse i referohemi vendeve fqinje do vëmë re se ato kanë të ardhura shumë të mëdha, me anë të sistemit hekurudhor.

Objektivat për një sistem hekurudhor më të mirë:
1-    Infrastruktura hekurudhore
2-    Logjistika hekurudhore.
3-  Marrëveshje bashkëpunimi me fqinjët, me qëllim që të kemi akses në sistemin hekurudhor Ballkanas, ku trenat shqiptarë të udhëtojnë edhe jashtë kufinjve të Shqipërisë qoftë për qëllime tregëtie apo turizmi.

Impakti pozitiv: Kjo do të sillte një zhvillim të madh brenda Shqipërisë edhe për zonat e pazhvilluara shqiptare. Eksporti - importi i mallrave të ndryshme, si edhe transporti i njerëzve, do ta lehtësonte mjaft mirë lëvizjen e lirë të njerëzve brenda Shqiperisë. Në anën tjeter do të sillte kursime më të mëdha në familjet shqiptare dhe do të ndikonte ndjeshëm në reduktimin e ndotjes së ambjentit.
Megjithatë do të rriste edhe numrin e të punësuarve në Shqipëri, lehtësonte udhëtimin e shumë turistëve që dëshirojnë të eksplorojnë Shqipërinë.


Për të përmirësuar të gjitha këto çështje në mënyrë efektive duhet kohë e gjatë por shumë nga këto probleme të parashtuara në këtë artikull mund të zgjidhen.

Së fundi: duhet të kujtojmë se lideret duhet të udhëheqin vendin! Megjithatë Shqipëria nuk do të kishte arritur asgjë pa vizionin e këtyre burrave dhe pak grave politikanë. Gjithsesi lideret politike të së sotmes duhet të jenë më shumë të aftë për të j’u dhënë zgjidhje problemeve.

No comments:

Post a Comment