Edukimi si detyrë fisnike i një shoqërie të përgjegjshme
Të flasësh për edukimin si sistem më vete do të thotë t’ia delegosh këtë detyrë fisnike një hallke të vetme të shoqërisë, në një kohë kur procesi i edukimit fillon që në gjirin e familjes.
Gjendemi përpara një
shoqërie që si thotë Bauman “e luhatshme”
por në të njëjtën kohë shoqëri e themeluar mbi një sërë vlerash duke filluar
nga: familja, shkolla dhe shoqëria.
Cilat janë sfidat e sotme të edukimit?
Të gjesh sfidat e
sotme do të thotë ta konsiderosh edukimin si proces gjithpërfshirës duke prekur
aspektet njerëzore si ai:
-
intelektual
-
psikologjik
-
professional
Këta janë bazat e
para të një politike të re për një shoqëri largpamëse.
Për të përballuar
sfidat e sotme duhet të rrënjosen fort vlerat edukuese që i gjejmë në familje,
shkollë dhe shoqëri. Bashkëpunimi i harmonishëm i këtyre tre sferave njerëzore
bashkëndan vlerat ndërmjet tyre. Në të njëjtën kohë ruhet elasticiteti i një
gatishmërie ndryshimi përsa i përket mënyrës së rrënjosjeve së vlerave. “Luhatshmëria” të cilën e përmend dhe
filozofi bashkëkohor Bauman, nuk duhet të trondisë vlerat por t’i përshtatet një
shoqërie gjithnjë e në ndryshim përsa i përket anës instrumentale të jashtme.
Sfidat e sotme na
shtyjnë të reflektojmë për rëndësinë themelore të vlerave, të vëmë në diskutim
format e jashtme që i përbëjnë ata, në mënyrë që të mos përputhen bashkë
modernizimi dhe çrrënjosja e vlerave.
Detyra urgjente e
edukimit të brezave të rinj nxit t’i vëmë rëndësi koordinimit mes familjes-shkollës-shoqërisë.
Sot po ndeshemi me
prindër që ia delegojnë detyrën që duhet të mbartin për edukimin e fëmijëve të
tyre, strukturave shkollore, ku krijohet një hendek i pakapërcyeshëm mes këtyre
dy sistemeve. Gjendemi përballë dy strukturave që nuk ecin paralele për
gjithpërfshirjen edukative të fëmijëve.
Gjithashtu mund të
egzistojnë dhe struktura shkollore që përgjigjen vetëm për kalimin apo
transmetimin e dijeve. Ndoshta nuk prekin në asnjë mënyrë aspektet e tjera të
personalitetit në formimin e fëmijës. Në këtë dinamizëm shkolla është
ndërmjetëse mes familjes dhe shoqërisë apo thjesht qëndron në kufij mes tyre?
Nga sa u tha mësipër
vëmë re se shkolla ka një rol themelor në politikat sociale; roli themelor që
shkolla ka në këtë mes kërkon domosdoshmërisht që mos të ketë pozicion vartës
përsa i përket politikës por bëhet fanar ndriçues bashkëpunimi dhe
përgjegjësimi për të gjetur së bashku ura bashkimi mes familjes dhe shoqërisë.
Si mund të realizohet kjo gjë?
Është shumë i
rëndësishëm formimi i duhur professional, i ekspertëve, që të jenë të aftë të
bëjnë analiza objektive të gjendjes së shkollës dhe koordinimin mes shkollës
dhe tregut të punës. Për të zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur papunësinë, të
planifikohet në mënyrë të përshtatshme sistemi arsimor pa lënë mënjanë
respektimin dhe zhvillimin e prirjeve personale të brezave të rinj.
Strukturat e arsimit
duhet të kenë shikim largpamës që lejojnë zhvillimin e tregut të punës dhe
hapjen e mundësive të reja të zhvillimit. Edukimi nuk duhet të pësojë “black out” përsa i përket zhvillimit
personal dhe profesional por dijet që merren të kenë një shteg shprese ku
mundëson secilin student të dijë dhe të planifikojë, të projektohet drejt së
ardhmes.
Bëhet fjalë të
formohet një mentalitet veprimi ku të ndërgjegjësohet çdo nxënës që të ecë
përpara jo vetëm përsa i përket dijeve që shkolla perhap por të jenë ata vetë
kërkues të vazhdueshëm për përparimin e hulumtimit shkencor.
Për ta bërë sa më të
realizueshëm nga sa u përmend deri tani, bëhet i nevojshëm pranimi në hallkat e
ndryshme të shoqërisë nëpërmjet konkurrimit, intervistimit dhe mundësisht e një
periudhe sado e shkurtër prove ku secili person mat veten përballë profesioneve
të ndryshme me të cilët ushtrohet.
Dëshmi e realizimit
të gjithpërfshirjes personale dhe profesionale janë dhe strukturat e ndryshme
private apo shtetërore që janë hapur në qarkun e Lezhës. Përfshirë këtu
pothuajse të gjitha fushat dhe hapjen e shumë kurseve apo shkollave
profesionale.
Vendi strategjik në
të cilën gjendet qyteti i Lezhës ofron mundësinë e orientimit të planit
edukativ drejt zhvillimit turistik të këtij qyteti.
Duhet të përmendet
ndryshimi kolosal që vendi ka pësuar, mundësimi i zhvillimit të sistemit
informatik veçanërisht në strukturat shkollore. Nxënësi gjendet përballë një bote
të tërë që ofron plot mundësi
komunikimi, hulumtimi dhe studimi.
No comments:
Post a Comment